SHERRI TRAGJIK/ Babai i Luisit: Djalit i është paralizuar krahu i majtë. Shteti nuk na ofron as fizioterapist dhe as psikolog
Babai i Luisit, djalit të plagosur pas sherrit te shkolla “Fan Noli” në Tiranë ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ka folur mbi gjendjen shëndetësore të djalit të tij dhe çfarë i ka treguar ai mbi sherrin.
Ai shprehet se i biri i ka treguar se e ka goditur një person i madh në moshë.
“Ne jemi Komshi me Martinin dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, ishin dhe në stërvitje bashkë dhe gjithmonë i merrja unë te dy. Ata ishin të pandarë dhe ishin si vëllezër dhe përveç sportit merreshin dhe me not.
Unë kam folur me Luisin për ngjarjen, dhe ai mban mënd vetëm pjesën e konfliktit, dhe ai ka shkuar atje sepse e ka kërkuar Martini i cili i ka thënë djalit tim që më ka goditur një person i madh në moshë”, thotë babai i Luisit.
Ai tregon se djali i tij Luisi është në intubim pasi thika i ka prekur mëlçinë.
Po ashtu ai tregon se i biri e ka krahun e majtë pothuajse të paralizuar dhe po i bëjnë fizioterapi në mënyrë private pasi nga spitali nuk po i ofrojnë as piskolog as fizioterapi.
“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as piskolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjëndjen në vazhdim. Thika i ka prekur dhe mëlçinë dhe djali është në intubim dhe po presim mos përmisohet. Për momentin po e mbajmë aty por po e mendojmë ta çojmë jashtë se nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë”, tha babai i Luisit në “Review” në Euronews Albania.