fbpx
Lajme nga Dibra

Rënia e nxënësve, një fenomen i përbashkët për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Share

Foto ilustruese

Në të dyja vendet, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut, sistemi arsimor po përballet me sfida të ngjashme për shkak të rënies së numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm. Të dhënat tregojnë një tendencë të vazhdueshme të tkurrjes së popullsisë së re, duke ndikuar drejtpërdrejt në sistemin arsimor dhe shkollat që operojnë në këto vende.

Maqedonia e Veriut, rënie e numrin të nxënësve në Dibër dhe më gjerë

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës dhe Shkencës, në dhjetë vitet e fundit është regjistruar një rënie prej 10% të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme, që përkthehet në rreth 27 mijë më pak nxënës. Situata është më shqetësuese në shumë komuna të vendit, ku numri i nxënësve të shkollave të mesme ka rënë në 90% të tyre.

Në komunën e Dibrës, situata nuk bën përjashtim. Në shkollat fillore si “Penestia” dhe “Said Najdeni”, si dhe në shkollën në Kosovrast të Poshtëm, numri i nxënësve filloristë ka rënë. Drejtori i shkollës “Penestia”, Ajet Mullarexha, vë në dukje se këtë vit ka 10 nxënës më pak se vitin e kaluar, pavarësisht kushteve të përmirësuara në infrastrukturën e shkollës. E njëjta situatë është edhe në shkollat e tjera të zonës.

Megjithatë, shkolla e vetme e mesme në Dibër, “28 Nëntori”, ka pasur një përmirësim të lehtë me një numër më të madh të regjistruarish në vitin e parë. Drejtori Ramadan Imeri raporton për 139 nxënës të rinj të regjistruar këtë vit, duke e çuar numrin total të nxënësve në 550. Përmirësimet në kushtet e shkollës kanë qenë gjithashtu evidente, duke bërë që procesi arsimor të fillojë pa probleme.

Shqipëria: Një tkurrje dramatike e nxënësve në arsimin 9-vjeçar dhe gjimnaze

Në Shqipëri, rënia e numrit të nxënësve është gjithashtu alarmante. Në vitin shkollor 2024-2025, Ministria e Arsimit ka raportuar se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar publik është rreth 238 mijë, një ulje prej 7.8% krahasuar me vitin e kaluar, ku ishin regjistruar 258 mijë nxënës. Sipas INSTAT, kjo rënie është më e lartë sesa në vitin e kaluar, kur tkurrja ishte vetëm 3.4%.

Nga viti 2014 deri në 2024, numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar ka rënë me 34.5%, ose 125 mijë nxënës më pak. Në vitet e ardhshme, kjo rënie pritet të përshpejtohet për shkak të normave të ulëta të lindjeve dhe emigrimit të lartë. Censusi i vitit 2023 tregoi se vetëm 24 mijë fëmijë kanë hyrë në klasën e parë këtë vit, duke paralajmëruar një tkurrje të mëtejshme të sistemit arsimor.

Mbyllja e shkollave është një pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj rënieje. Nga viti 2013 deri në vitin 2022 janë mbyllur 295 shkolla 9-vjeçare, ndërkohë që numri total i tyre ka rënë nga 1,346 në 1,051. Më e prekshme është zona rurale, ku numri i fëmijëve ka rënë ndjeshëm, duke detyruar mbylljen e një numri të madh shkollash.

Në vitin shkollor 2024-2025, në Dibër kanë filluar mësimin 6,351 nxënës, duke shënuar një rënie prej 325 nxënësish krahasuar me vitin e kaluar, sipas Zyrës së Arsimit të Dibrës. Ndërkohë, katër shkolla vartëse në zonat Ploshtan (Kala e Dodës), Katund i Vjetër (Selisht), Borovjan (Sohodoll), dhe Kallë (Sllovë) janë mbyllur, dhe nxënësit e tyre janë transferuar në shkollat qendër. Zyra e Arsimit njofton se të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste mësimore, por mbetet sfidë sistemimi i 10 mësuesve të kontraktuar për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Në klasën e parë janë regjistruar 505 nxënës, një ulje krahasuar me vitin e kaluar, ku ishin regjistruar 636.

Në Bashkinë e Matit, për vitin shkollor 2024-2025, janë regjistruar gjithsej 2,313 nxënës, duke shënuar një rënie krahasuar me vitin e kaluar ku ishin 2,560 nxënës. Në klasën e parë këtë vit janë regjistruar 166 nxënës, ndërsa vitin e kaluar ishin 205. Në klasën e dhjetë, numri i regjistrimeve për vitin 2024 është 174 nxënës. Në Klos, gjithashtu, ka rënie në numrin e nxënësve, me 1,485 nxënës të regjistruar këtë vit, krahasuar me 1,630 nxënës në vitin 2023.

Në Bulqizë, për vitin shkollor 2024-2025, janë regjistruar 271 nxënës në klasën e parë dhe 173 nxënës në klasat e dhjeta në gjimnaz, duke mbajtur të njëjtat kuota si në vitin 2023. Zyra e Arsimit konfirmon se të gjithë nxënësit janë pajisur me tekstet e nevojshme shkollore për këtë vit.

Faktorët

Të dy vendet po përballen me një ulje të madhe të numrit të fëmijëve të lindur dhe një emigracion masiv të të rinjve dhe familjeve të tyre, duke rezultuar në zvogëlim të popullsisë së re. Në Shqipëri, nga rreth 31 mijë foshnje të lindura në vitin 2017, vetëm 24 mijë fëmijë janë regjistruar për të filluar shkollën, një tregues i qartë i emigracionit të familjeve.

OKB ka parashikuar një ulje të popullsisë shqiptare deri në vitin 2100 me 30-40%, për shkak të emigracionit dhe rënies së normës së lindshmërisë, duke e vendosur Shqipërinë përballë një krize demografike të rëndë.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button