“PS iu kundërvu Kushtetueses për Xhaçkës”, Xhixho: Zgjodhën të fshehin kokën pas abstenimit
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho shkruan se qeveria kur është fjala që ligji të zbatohet edhe për ata si gjithë të tjerët zgjedhin që me vetëdije të shkelin Kushtetutën dhe t’i kundërvihen hapur e në mënyrë flagrante asaj.
Xhixho shton se Olta Xhaçka dhe interesat e saj korruptive të ushqyera nga prania e saj në qeveri jo rastësisht prevalojnë mbi autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.
Xhixho: Edhe pse shumica parlamentare e Partisë Socialiste dhe Kryeministri i saj nuk lenë rast pa folur dhe pa u përgjëruar për zbatimin e ligjit dhe fundin e pandëshkueshmërisë, edhe pse ata mburren gjithkund se janë autorët e reformës në drejtësi dhe se falë tyre drejtësia e re po bën namin, kur është fjala që ligji të zbatohet edhe për ata si gjithë të tjerët zgjedhin që me vetëdije të shkelin Kushtetutën dhe t’i kundërvihen hapur e në mënyrë flagrante edhe organit të vetëm që garanton drejtësinë kushtetuese, Gjykatës Kushtetuese.
Olta Xhaçka dhe interesat e saj korruptive të ushqyera nga prania e saj në qeveri jo rastësisht prevalojnë mbi autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, aq sa një tufë njerëzish mjeranë dhe pa fijen e integritetit zgjodhën të fshehin kokën pas kartonit të abstenimit dhe duke iu kundërvënë Gjykatës Kushtetuese.
Fakti është tashmë në sytë e të gjithëve, e vërteta është aty në sallën e Kuvendit, ku vota e turpit dhe e bashkautorësisë me investitorët strategjikë të qeverisë, bëhet bashkë me votën e klaneve korruptive e kriminale, perfaqësuesit e të cilëve nën emrin e deputetëve të popullit dëshmuan se e gjithë retorika e liderit të tyre suprem është vetëm mashtrim dhe kundërvënie ndaj Gjykatës Kushtetuese.