Pelegrinazhi i Ballëm Sulltanit, rehabilitohet rruga që të dërgon në Ballenjë të Martaneshit

Mijëra besimtarë bektashi nga i gjithë vendi marrin pjesë çdo vit me datë 29 qershor në pelegrinazhin që mbahet në Ballenjë të Martaneshit. Përkujtimi i Ballëm Sulltanit është një nga ngjarjet më të rëndësishme të krahinës së Martaneshit, por edhe më gjerë. I vetmi problem që kushtëzonte pjesmarrjen në këtë pelegrinazh ishte rruga. Gjendja e vështirë e saj e bënte thuajse të pamundur pjesmarrjen masive me mjete të ndryshme. Por ndryshe nga vitet e kaluara ku nuk ka pasur asnjë ndërhyrje para pelegrinazhit, këtë vit situata duket ndryshe, pasi në disa akse rrugore që të dërgojnë në Ballenjë, është ndërhyrë duke përmirësuar gjendjen e tyre. Drejtuesi i teqesë së Martaneshit Hysni Shehu, thotë se rehabilitimi i rrugës që lidh Ballenjën me Krastën ka shkurtuar kohën mes dy destinacioneve dhe se qarkullimi në këtë rrugë mund të bëhet thuajse me çdo lloj mjeti.
Përgatitjet për pelegrinazhin e 29 qershorit të këtij viti nga ana e teqes së Martaneshit kanë filluar, ndërsa pritet që të ketë pjesmarrje masive për shkak të përmirësimit të gjendjes së rrugës.
Huazuar nga MatTv