Opozita vendos flamurin e Serbisë në Kuvend, Balla: Hiqeni, mos provokoni
Opozita ka vendosur disa postera në seancë, teksa po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2025-esë. Mes posterave ishte dhe një me flamurin e Serbisë, ku thuhej se fermerët serbë financohet me miliona euro nga fondet e IPARD, krahasuar me Shqipërinë.
Mirëpo flamuri i serbisë në seancë ka sjellë edhe reagimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij i kërkoi opozitës që ta hiqnin.
“Hiqeni atë flamurin e një vendi tjetër këtu. Ç’pune keni me flamujt e vendeve të tjera që i varni këtu dhe shkruani emra shtetesh? Hiqini ato dhe mos bëni provokime kot.
Keni që në mëngjes, foli parafolësi Serbia e ka kaq, Serbia e ka keq, ne e kemi kaq dhe s’e kemi kaq. Ne nuk krahasohemi me asnjërin nga këta vende. Nëse flasim për buxhetin, merrni buxhetin e Shqipërisë të vitit 2013 dhe krahasojeni me buxhetin e vitit 2025. Tre herë është rritur buxheti i shtetit shqiptar,” tha Balla ndër të tjera, teksa e quajti flamurin e Shqipërisë, “yll bote”.