Aktualitet dhe Lajme

“Lufta s’mbyllet brenda ditës”, Moska shkatërron avionët ukrainas, Kievi pret F-16 e SHBA

Share

Lufta në Ukrainë nuk mund të marrë fund brenda ditës. Kështu u shpreh ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzia, kur u pyet mbi deklaratat e vazhdueshme të kandidatit presidencial Donald Trum se ai mund t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve nëse do të rizgjidhej.

Ish-presidenti nuk ka dhënë detaje se si do ta realizonte këtë, por është shprehur se, nëse SHBA do të kishte pasur një president të vërtetë, i cili do të respektohej nga lideri rus, Putin, Moska nuk do të kishte pushtuar Ukrainën.

“Kriza e Ukrainës nuk mund të zgjidhet brenda një dite. Kjo është subjektive. Presidenti Putin tha kohët e fundit: “Në pikën ku jemi në krizën ukrainase, që nga sot, ajo mund të ishte zgjidhur”. Siç e dini, në prill të 2022 në Stamboll, ne ishim shumë afër një marrëveshjeje, por më pas ndërhynë sponsorët perëndimorë të Ukrainës, veçanërisht Boris Johnson, i cili i tha regjimit të Kievit të vazhdonte të luftonte me Rusinë. Tani Zelenskiy dhe regjimi po vrapojnë me të ashtuquajturin planin e tij të paqes, i cili, natyrisht, nuk është një plan paqeje, por një shaka” .

Në kundërpërgjigje zëdhënësi i fushatës së Trump tha për Agjencinë e Lajmeve Reuters se ai është udhëheqësi dhe negociatori më efektiv në histori dhe se do ta zgjidhte konfliktin kur të merrte frerët e Shtëpisë së Bardhë. Kremlini ka thënë se çdo plan për Ukrainën i propozuar nga një administratë e ardhshme Trump do të duhej të reflektonte realitetin në terren, por se Putin ishte i hapur për bisedime.

Situata në terren mbetet e vështirë, teksa Moska vijon të bombardojë qytetet rreth Ukrainës. Shpërthime kumbuan në orët e para të së martës, pasi forcat e mbrojtjes ajrore parandaluan sulmin kundër qytezës së Strakostiantiniv, ku gjendet një bazë e rëndësishme ajrore.

Bazat ajrore janë bërë objektiv i sulmeve të forcave ruse, që njoftuan se kishin shkatërruar 7 avionë në aeroportin e Myrhorod. Kievi përballet me sfida për rimëkëmbjen e forcave ajrore pas bombardimeve intensive të Moskës, teksa avionët e parë F-16 amerikanë pritet të mbërrijnë në vend.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button