I drejtoi pyetjet e dhëna nga ekipi elektoral i tij, jep dorëheqjen gazetarja pas intervistës me Biden
NJë drejtuese emisionesh në radio që intervistoi presidentin Joe Biden në 3 korrik dha dorëheqjen pasi i drejtoi atij pyetjet e dhëna nga ekipi elektoral i presidentit.
Andrea Lawful-Sanders, e cila drejtonte emisionin “The Source” në stacionin lokal të radios WURD, i drejtoi presidentit Biden katër pyetje gjatë intervistës së parë pas debatit presidencial të muajit të kaluar.
Kanali WURD, i vetmi kanal radiofonik në Pensilvani që është në pronësi afrikano-amerikane, tha se për intervistën ishte negociuar pa dijeninë e drejtuesve të kanalit dhe pa u konsultuar me ta.
Nëpërmjet një deklarate, presidentja e kanalit WURD, Sara M. Lomax tha se dërgimi i pyetjeve nga ekipi elektoral “shkel praktikën tonë të ruajtjes së pavarësisë mediatike”. Deklarata thotë se zonja Lawful-Sanders ka rënë dakord të largohet nga kanali WURD.
“Si i vetmi kanal i pavarur radiofonik në Pensilvani, në pronësi afrikano-amerikane, Radioja WURD ka punuar për të fituar besimin e audiencës gjatë historisë sonë 20-vjeçare. Kjo është diçka që e marrim shumë seriozisht”, u shpreh zonja Lomax në faqen e internetit. “Rënia dakord për disa pyetje të paracaktuara e rrezikon këtë besim dhe kjo nuk është një praktikë e Radios WURD”.
E pyetur nga mediat amerikane, zonja Lawful-Sanders tha se ekipi elektoral i presidentit i dërgoi asaj tetë pyetje, katër prej të cilave ajo i përdori gjatë intervistës.
Një tjetër drejtues emisionesh në radio, i cili gjithashtu intervistoi presidentin Biden në Miluoki, tha se edhe atij i ishin dhënë pyetje përpara intervistës dhe se për këtë arsye nuk mundi të pyeste rreth të gjitha gjërave që kishte dëshirë.
Një zëdhënës i fushatës elektorale u citua nga mediat të ketë thënë se nuk është “e pazakontë” ndarja e tematikave për të cilat do të dëshironin të flitej dhe se zonja Lawful-Sanders kishte qenë e lirë të bënte pyetje të tjera.
“Nuk i kushtëzojmë intervistat me pranimin e këtyre pyetjeve dhe drejtuesit e emisioneve janë gjithnjë të lirë të bëjnë pyetjet që ata mendojnë se do t’i informojnë më mirë dëgjuesit e tyre”, tha zëdhënësi i fushatës.
Agjencia e lajmeve Associated Press citoi një person me njohuri për mënyrën se si ekipi elektoral i presidentit Biden vepron për intervistat, të ketë thënë se ekipi po planifikon ta ndalë praktikën e ofrimit paraprakisht të pyetjeve për intervistuesit./VOA