Gati projekti për sheshin te “Bulevardi i Ri”

16:52 24/05/2023
Veliaj: Qeveria e Katarit grant 11 mln euro. Merr formë Tirana e shekullit të ardhshëm
Qeveria e Katarit i ka miratuar një grant 11 milionë euro Bashkisë së Tiranës për realizimin e sheshit fundor në “Bulevardin e Ri”. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë takimit me ambasadorin e Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al-Marri.
“Qeveria e Katarit na ka akorduar një grant prej 11 milionë eurosh për sheshin përfundimtar te “Bulevardi i Ri”, një shesh që do të jetë një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë së Katarit, i projektuar nga studio Grimshaë, që mbyll në mënyrë solemne “Bulevardin e Ri”, aty ku ndahemi me Kamzën.”
Kryebashkiaku shprehu bindjen se me këtë shesh të ri, në një zonë po ashtu të re si “Bulevardi i Ri”, merr formë Tirana e shekullit të ardhshëm.
“Ashtu siç kemi bërë punë cilësore për shkollat dhe për kopshtet, më vjen mirë që do të kemi vërtet një punë monumentale në “Bulevardin e Ri të Tiranës”, ku praktikisht do të marrë formë Tirana e 100 viteve që vijnë. Aty kemi parashikuar të ndërtojmë bashkinë e re, kemi parashikuar të kalojnë gjykatat, Prokuroria dhe disa nga ndërtesat e rëndësishme si Pallati i ri i Koncerteve apo Muzeu i Artit Modern, dhe mbyllja me atë shesh spektakolar të Katarit besoj se do të jetë vërtet përgjigja e merituar për të gjithë këtë përpjekje të përbashkët për Tiranën, që ecën përpara dhe që modernizohet përditë”.
Sheshi i ri do ndërtohet në pjesën fundore të “Bulevardit të Ri”, përgjatë Lumit të Tiranës dhe do të ketë disa hapësira pedonale për qytetarët.
Klan News