Dibër, ndërpriten kërkimet për të humburin Tofik Xhika

Pas afro tre javësh përpjekjesh për të gjetur 49 vjeçarin Tofik Xhika nga Njësia Administrative Fushë Alije në Dibër, janë pezulluar kërkimet në ujërat e lumit Drin i Zi. Specialistët e repartit RENEA kanë kërkuar edhe dy ditë të tjera në zonën ku mendohet se Xhika ka rënë në ujërat e lumit teksa kishte dalë për të peshkuar me 26 Dhjetor të vitit të kaluar. Ndonëse kushtet ishin të përshtatshme për të kërkuar, polumbarët e reneas nuk kanë mund të gjejnë asnjë shenjë të Tofik Xhikës në thellësi të ujit apo anash lumit. Pa reshtur kanë kërkuar edhe familjarët si dhe bashkëfshatarët e Tofik Xhikës në vijën lumore nga fshati Fushë Alije deri në Skavicë në kufi me Bashkinë e Kukësit. Por edhe përpjekjet e tyre nuk kanë dhënë rezultat pasi nuk kanë mundur dot të gjejnë asnjë shenjë prej tij. Tofik Xhika kishte lënë mjetin e tij pranë lokalit të fshatit dhe i është drejtuar bregut të lumit Drin i Zi për të peshkuar, ashtu siç bënte shpesh. Por moskthimi i tij në shtëpi bëri që familja të kërkonte ndihmë. Në breg të lumit janë gjetur vetëm një palë këpucë që mendohet të jenë të Tofik Xhikës e asnjë shenjë tjetër. Dyshohet që Xhika të ketë rënë në ujërat e lumit e të jetë rëmbyer nga rrjedha e tij./mattv.al/