fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Dëshmia/ Vrasja e policit në Fier për shkëmbimin e makinave në rrugë

Share

Prej më shumë se 24 orësh, Azgan Mërnica, vrasësi i policit Novruz Canaliaj në Fier ia ka dalë t’i qëndrojë larg forcave të policisë që po e kërkojnë kudo në zonën përreth fshatit të tij. Duke qenë se njeh shumë mirë terrenin, 23-vjeçari mendohet se ka lëvizur në Havaleas dhe Apoloni duke i shpëtuar kërkimeve të policisë së Fierit, FNSH-së dhe RENEA-s.

Dyshimet janë se vrasësi fshihet në ndonjë nga bunkerët e shumtë të zonës në afërsi të parkut të Apollonisë, ku edhe janë përqëndruar kërkimet. Familjarët kanë tentuar të bashkëpunojnë me policinë, por pa asnjë rezultat.

Viktima, Novruz Canaliaj
Viktima, Novruz Canaliaj

23-vjeçari ekzekutoi mesditën e së hënës me plumb në kokë, efektivin e Shqiponjave Novruz Canaliaj. Fillimisht u dyshua se shkak për vrasjen mund të ishte një konflikt i vjetër, por nëna e autorit të krimit që ishte në vendin e ngjarjes i ka dhënë fund hipotezave me dëshminë e saj në polici. Ajo tregoi se rruga e fshatit Baltëz ku jetonte viktima ishte e ngushtë dhe aty mund të kalonte vetëm një makinë.

Autori i krimit, Azgan Mërnica
Autori i krimit, Azgan Mërnica, foto e vjetër

Ajete Mërnica, i tha policisë se dy të rinjtë u konfliktuan se kush do të kalonte i pari në rrugën e ngushtë të fshatit. Më pas, ata dolën nga makinat dhe nisën të debatojnë. Gruaja tha se u kishte bërtitur të rinjve disa “Mos, mos…”, por djali i saj me pas nxorri pistoletën dhe qëlloi për vdekje policin 28-vjeçar.

Autori i krimit vjen nga një familje me një histori të gjatë për përfshirjen në ngjarje kriminale. Babai i tij ka vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e kunatit. Ndërsa një prej vëllezërve ndodhet aktualisht në burg, i dënuar me 19 vjet heqje lirie për një vrasje të ndodhur në 2019-n. Edhe vëllai tjetër vuan po ashtu dënimin me burg në Gjermani. Në rastin e tij mbetet e paqartë se për çfarë është dënuar./Lapsi.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button