Aktualitet dhe Lajme

Caktohet data për gjyqin kundër ish-presidentit Trump

Një gjykatë në Shtetet e Bashuara të Amerikës caktoi 25 marsin e vitit 2024 si datë për gjykimin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Kjo periudhë përkon me kulmin e fushatës zgjedhore për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane.

Gjykatësi i Manhatanit të Nju Jorkut, Juan Merchan njoftoi për këtë datë gjatë një seance ku Trump mori pjesë përmes një video-lidhjeje.

Muajin e kaluar, ish presidenti amerikan u deklarua se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen.

Trumpit iu dha leje që mos të paraqitej personalisht në gjykatë, me qëllim të shmangies së sfidave të mëdha të sigurisë dhe logjistikës që pasuan pas shpalljes së akuzës kundër tij muajin e kaluar.

Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e avokatit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore.

Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.

Urdhri i gjykatësit Merchan ndalon ish-presidentin republikan dhe avokatët e tij të shpërndajnë prova te palët e treta ose t’i postojnë ato në rrjete sociale dhe kërkon që disa materiale të ndjeshme të shpërndara nga prokurorët të mbahen vetëm nga avokatët e zotit Trump, jo nga vetë ai.

Merchan kaloi pjesën më të madhe të seancës 15-minutëshe të së martës duke shqyrtuar një urdhër që ai lëshoi më 8 maj, i cili përcakton rregullat bazë për sjelljen e Trump në fillim të gjyqit.

Nuk duhet të interpretohet si urdhër për t’i mbyllur gojën dhe Trump është i lirë të flasë për rastin dhe të mbrohet, tha Merchan, por ai nuk mund të përdorë provat e dhëna nga prokurorët për të sulmuar e intimiduar dëshmitarët ose për të postuar dokumente të ndjeshme në rrjete sociale. Nëse ai shkel urdhrin, rrezikon të mbahet në përbuzje.

Ndër shqetësimet e ngritura nga prokurorët ishte se Trump mund të përdorte “informacione shumë personale” të gjetura në celularët e dëshmitarëve, si foto personale dhe mesazhe me familjen dhe miqtë, si dhe dëshmitë sekrete të jurisë dhe materiale të tjera, për të nxitur zemërimin e mbështetësve të tij.

Avokatët e tij kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Derisa të vendoset nëse një gjë e tillë do të pranohet, çështja e tuh di të vazhdojë në gjykatën shtetërore.

Trumpit nuk i kërkohet të paraqitet sërish personalisht në gjykatë deri më 4 janar 2024, vetëm disa javë përpara se të priten të hidhen votat e para për kandidatin brenda partisë./rel/

Huazuar nga Albeu.com

Artikuj të ngjashëm

Back to top button