Bulqizë, zbulohet shkaku i ndotjes së ujit të pijshëm, procedohet administratori i një HEC-i

Pas tri ditësh është gjetur shkaku i helmimit të banorëve të Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë ligjore e këtij rasti. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për shkak të montimit të një tubi plastik, nga 64-vjeçari Kadri Muça, administrator i një HEC-i privat në fshatin Tuçep që ndodhet mbi fshatin Gjoricë, uji i pijshëm i fshatit Gjoricë, është përzier me ujërat e zeza dhe kjo ka shkaktuar helmimin nga uji të dhjetra banorëve që prej tri ditësh kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Për 64 vjeçarin Kadri Muça, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”. Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë, Hasan Koleci tha se situata është normalizuar dhe se nuk ka patur më banorë që të kenë kërkuar ndihmë mjekësore si rezultat i kontaminimit të ujit të pijshëm me ujërat e zeza.
Që prej së shtunës dhjetra banorë të Gjoricës përfunduan duke kërkuar ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore të kësaj njësie, atë të Shupenzës dhe spitalin e Bulqizës pasi kishin të vjella dhe diarre, si rezultat i konsumimit të ujit të rrjetit të ujësjellësit. Të dielën stafi shëndetësor ishte në punë për tju ardhur në ndihmë banorëve
Huazuar nga MatTv