Aktualitet dhe Lajme

“Asnjë hetim i ri për Gërdecin”, Mediu: SPAK po punon me dosjen e vjetër. Procesi antikushtetues

Share

Ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu rrëzoi pretendimet se po përdor hapësirat ligjore për të zvarritur procesin për Gërdecin, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre me pasojë dëm ekonomik. Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, zoti Mediu kujtoi se ai kishte kërkuar fillimisht gjykim të shkurtuar për të vendosur në vend kushtetueshmërinë, pasi akuza e ngritur ndaj tij, ishte e parashkruar dhe një gjyq i tillë nuk mund të zhvillohej.

“Rinisja e kësaj çështje është në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kushtetutën. Ketë e ka vërtetuar edhe vendimi fundit i Gjykatës së Lartë, që thotë se nuk mund të ketë pezullim të parashkrimit, siç u vendos nga Gjykata e Apelit. Prandaj kërkuam gjykim të shkurtuar në fillim për t’i dhënë mundësi gjykatës ta shqyrtonte këtë moment, por kjo u refuzua. Kur u refuzua, kërkuam të jetë proces normal gjykimi. Deri tani, janë shqyrtuar dëshmitarët e thirrur nga prokuroria. Një pjesë e tyre që nuk kanë të bëjnë me urdhrat e Ministrit, por që kishin punuar në Gërdec dhe një pjesë e familjarëve. Nga ana tjetër iu refuzua palës sonë e drejta për të sjellë si dëshmitarë autoritete të larta ushtarake dhe politike nga SHBA, Gjermania, Italia, NATO, që kanë punuar me ne për demontimin dhe politikat e mbrojtjes” – tha zoti Mediu.

Ai ngriti edhe një problem tjetër thelbësor për dosjen në gjykim të Gërdecit, duke vënë në dukje se gjithçka po gjykohet tani nuk është hetim i SPAK-ut, por dosja e vjetër e 2009-ës, e gjykuar më parë.

“Akte ekseprtimi të vjetra, të hedhura poshtë me vendim Gjykate në 3 shkallët e gjykimit të Gërdecit, sot sillen si fakte të reja. Flasim për të njëjtën gjë të gjykuar dhe prapë sillen si fakte të reja.”- u shpreh zoti Mediu, sipas të cilit për SPAK nuk ka rëndësi e vërteta, por statistikat me përgjegjës të paracaktuar.

“Që këta e kanë statistikë çështjen e fajtorit, kjo është e dukshme, sepse unë nuk mendoj që një dosje e vitit 2009 sillet në vitin 2021 pa bërë një hetim dhe pa bërë një vlerësim edhe të vendimeve të gjykatave, ku janë dënuar mbi 20 vetë, si dhe për të parë se ku janë përgjegjësitë e ministrit. Kjo dosje ka ardhur, siç ka qenë në 2008, pa bërë asnjë filtrim për disa urdhra.”- theksoi ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button