Arrihet marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit e Hezbollahut
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka njoftuar sot, pak pas orës 20:00, se Izraeli po procedon me armëpushim në Liban, megjithatë ka sqaruar se kohëzgjatja e armëpushimit varet nga ajo që po ndodh në vend.
Në fjalimin e tij drejtuar nga Benjamin Netanyahu për marrëveshjen e armëpushimit në Liban , ai theksoi se planin e armëpushimit do ta paraqesë në kabinet, ndërsa tha se në rast se Hezbollahu sulmon forcat izraelite, do të sulmojnë edhe ato.
“Ne po ndryshojmë fytyrën e Lindjes së Mesme ,” tha Netanyahu, duke vënë në dukje se armëpushimi në Liban do t’i lejonte Izraelit të përqëndrohet në kërcënimin iranian.
Bëhet me dije se ky armëpushim do të hyjë në fuqi të mërkurën.
“Kohëzgjatja e armëpushimit varet nga ajo që ndodh në Liban,” sqaroi megjithatë Netanyahu, ndërsa mediat ndërkombëtare folën në orët e fundit për një plan që promovon një armëpushim 60-ditor.
“Nëse Hezbollahu përpiqet të na sulmojë, ne do të përgjigjemi”, tha Netanyahu në një pikë tjetër të deklaratave të tij.
“Është koha e duhur për një armëpushim për tre arsye – kërcënimi iranian, rinovimi i forcave izraelite dhe izolimi i Hamasit . Një marrëveshje e mirë është një marrëveshje që zbatohet dhe ne do ta zbatojmë atë”, shtoi ai.
Netanyahu nuk ka munguar të deklarojë se vendi i tij është i përkushtuar të “përfundojë shkatërrimin e Hamasit”.