A e dinte që do e largonte Rama nga Ministria e Brendshme? Ja si përgjigjet Balla
Më 28 korrik, kryeministri Edi Rama, komunikoi një sërë ndryshimesh të papritura në qeveri, ku një prej “surprizave” ishte Taulant Balla që u largua nga detyra si Ministër i Brendshëm, për t’u zëvendësuar me Ervin Hoxhën.
I ftuar në Klan News, ministri për marrëdhëniet me Parlamentin, u pyet pikërisht për këtë lëvizje “surprizë” të Ramës dhe nëse e ai e dinte përpara se Rama të shpallte lëvizjet. Balla e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë.
“Unë mendoj që gjatë qëndrimit dhe ushtrimit të detyrës si Ministër i Brendshëm kam bërë gjënë e duhur dhe kam punuar me energjitë e mira maksimale. Tani kam përsipër një detyrë, për shkak të intensitetit me përgjegjësi të madhe për të organizuar forcën më të madhe politike edhe jashtë Shqipërie”, – u shpreh Balla.
I pyetur se pse e larguan kur po punonte mirë, Balla e shmangu sërish: “Këtu më thoni që nuk keni kohë kur unë flisja për pensionet dhe pastaj doni të merreni me thashetheme. Ua dhashë përgjigjen. Faleminderit”, – e mbylli Balla këtë çështje.
Pakënaqësinë për këtë temë e tregoi edhe kur u pyet për zgjedhjen e Ilir Prodës në krye të policisë së shtetit.
“I uroj suksese. S’ kam asnjë koment”, – tha Balla prerë.
Largimin si drejtues politik i qarkut të Fierit për t’i dhënë detyrën e koordinatorit për diasporën, Balla tha se e sheh me përgjegjësi.
“Ka qenë nder i madh për mua që te jen drejtues politik në 2 nga 3 qarqet më të mëdha të vendit, ku përjashtohet këtu Tirana dhe të kem pasur në këto dy qarqe rezultate tepër të mira për Partinë Socialiste”, – tha Balla