Bolonja nuk gjeti akord për rrogën e Asllanit, klubi tjetër i Serisë A është gati të paguajë sa kërkon mesfushori

Ndryshon në mënyrë të papritur situata e Kristjan Asllanit. Mesfushori ishte prej dy ditësh në bisedime me Bolonjën për transferimin në radhët e këtij klubi, por nuk po gjente akordin për rrogën.
Asllani kërkonte 2 milionë euro në vit për të firmosur me Bolonjën, ndërsa klubi i ofronte 300 mijë euro më pak për të lidhur një marrëveshje afatgjatë me të. Interi ndërkohë ishte “spektator”, pasi kishte gjetur akordin për shitjen 9 milionë euro të lojtarit, duke mbajtur 40% të një shitje të mundshme të ardhshme.
Hezitimi i Bolonjës ka zgjuar përsëri Torinon, pasi siç raporton “Sky Sport” në Itali, klubi në fjalë ka bërë hapa konkret për të bindur Asllanin të zgjedhë atë.
Bëhet e ditur se Torino është më i gatshëm për të paguar Asllanin sa kërkon ai, falë edhe një buxheti më të madh që ka në dispozicion. Palët po bisedojnë, ndërsa pritet që të rivendosen kontaktet edhe me Interin për të finalizuar një transferim nëse të gjithë bien dakord.