Aktualitet dhe Lajme

80-vjetori i gjenocidit grek, PDIU: Greqia të kërkojë falje, të respektohen jetët e humbura

Share

PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë”, në Kllogjer në Konispol.

Në fjalën e tij, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi shprehu keqardhjen për qëndrimet e Greqisë ndaj çështjes çame dhe ligjit të luftës. Ai tha se pret falje publike nga shteti fqinj, duke kërkuar dhe gjetjen e një zgjidhjeje.

“Prezenca jonë këtu sot, apo në të gjitha këto aktivitetet që kemi bërë këto 5 muaj, këto varreza monumentale na e bëjnë edhe më të ndjeshme, sikur ky gjenocid ka ndodhur 2 vjet më parë dhe jo 80 vjet më parë. Sepse gjenocidi nuk njeh moshë. Asgjë e mirë nuk mund të lindë nga gjenocidi e nga padrejtësia pa kërkuar falje e pa e kuruar atë. Falja është hyjnore. Dhe kjo është ajo që ne kërkojmë nga shteti fqinj”, tha Idrizi.

Ndërsa Mesila Doda u shpreh: “Ne kërkojmë respektimin e atyre që humbën jetën gjatë masakrave. Kërkojmë respektimin e të drejtave të njeriut, atyre të drejtave që janë sot në konventat ndërkombëtare. Politika shqiptare të mos trembet. Asgjë nuk mund të ndodhë e asgjë s’do të ndodhë. Sepse ky nuk është muri i harresës, është muri i trëndafilave”.

Për ish-kryenegociatoren e Kosovës, politikanen Edita Tahiri, ndërtimi i varrezave të Kllogjerit është një hap i vogël për kujtesën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Nën tingujt e marshit funebër, të gjithë pjesëmarrësit vendosën trëndafila në memorialin e gurëve, si shenjë kujtimi e humbjes së jetës së të afërmve dhe njërëzve të tyre të dashur, që humbën jetën padrejtësisht 80 vjet më parë për shkak të gjenocidit grek.

/a.r


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button